(2L ONLINE) – Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka uruar Mësuesit, me rastin e 7 Marsit si dhe Gratë, me rastin e 8 Marsit, data këto shumë të rëndësishme për arsimin shqip, përkatësisht për barazinë gjinore. Me këtë rast, ajo i ka ftuar Mësuesit dhe Gratë që t`i shfrytëzojnë mundësitë që ofron liria, për të avancuar edhe dijen, edhe të drejtat gjinore, që janë vlera shumët larta të shoqërive demokratike.
Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se 7 Marsi, është momenti më i përshtatshëm për t`iu shprehur mirënjohje të gjithë mësuesve tanë, për punën e mirë që kanë bërë në rrugëtimin e gjatë e të vështirë të shkollës shqipe, nga fillimi i saj në Korçë, më 1887 e deri në ditët e sotme, gjithandej trojeve shqiptare.
“Liria na jep mundësi të jashtëzakonshme për edukim e brezit të ri, prandaj duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t`i arritur me dije shoqëritë e përparuara”, thuhet në urimin e Valentina Bunjakut-Rexhepit, për mësuesit e Gjilanit .
Njëherësh, ajo i ka uruar në mënyrë të veçantë edhe gratë e kësaj Komune, me rastin e 8 Marsit.
“Gratë nuk janë të rëndësishme vetëm më 8 Mars, por ato janë të rëndësishme e të vlefshme në të gjitha ditët e vitit. Gratë kanë dëshmuar se kanë guxim për të marrë mbi vete procese e detyra të rëndësishme dhe për t`ia dalin me sukses në të gjitha detyrat”, thuhet në urimin e kryesues së Kuvendit Komunal, drejtuar grave.
Njëherësh, ajo i ka inkurajuar gratë e Gjilanit që të jenë sa më aktive dhe sa më këmbëngulëse në kërkimin e hapësirave që u takojnë në politikë dhe vendimmarrje. /2L ONLINE/