Kryesuesi Maloku dhe Dekani Puka nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi ndërmjet KPK-së dhe Fakultetit Juridik të UP-së
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku dhe Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, Avni Puka, kanë nënshkruar një memorandum të bashkëpunimit.
Qëllimi i memorandumit është krijimi i bashkëpunimit ndërinstitucional për fuqizimin dhe avancimin e mësimit klinik në UP, me qëllim të përgatitjes së juristëve të rinj për tregun e punës, si dhe ofrimin e ekspertizës profesionale nga personeli akademik në hartimin e legjislacionit sekondar dhe hartimin e dokumenteve të tjera të rëndësishme për KPK-në.
Konkretisht, përveç bashkëpunimit dhe angazhimeve të tjera me këtë institucion të lartë arsimor, KPK-ja do t’i ofrojë mbështetje Qendrës për Studime Klinike në Fakultetin Juridik, sidomos në ofrimin e lëndëve klinike në fushën penale.
Gjithashtu, memorandumi parasheh që Fakulteti Juridik i UP-së të angazhohet për ofrimin e ndihmës juridike përmes personelit akademik në hartimin e legjislacionit sekondar të nevojshëm për KPK-në dhe akte të tjera sipas nevojës, si dhe do të bashkëpunojë në projekte të përbashkëta në fushën e sundimit të ligjit.
Palët nënshkruese, theksuan gjatë ceremonisë së nënshkrimit se, ky dokument është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të dyja institucionet, sepse përfundimisht krijon mundësinë e bashkëpunimit të avancuar dhe do të shërbejë për ngritjen e cilësisë së punës profesionale në të ardhmen. /2LONLINE/