Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, i shoqëruar nga Auditori i Brendshëm në Sekretariatin e KPK-së, Beqir Dauti, ka pritur në takim Auditoren e Përgjithshme të Republikës së Kosovës, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditorin e Përgjithshëm, Bezad Halilaj.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi për avancimin e bashkëpunimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës lidhur me raportet e auditimit për përdorim efektiv, efikas dhe ekonomik të fondeve publike, si dhe diskutimi për zbatimin e standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare gjatë proceseve të menaxhimit transparent të financave publike.
Me këtë rast, Kryesuesi i KPK-së, Maloku, informoi Auditoren e Përgjithshme, Spanca, për përpjekjet dhe angazhimin e sistemit prokurorial në përmirësimin e vazhdueshëm rreth menaxhimit të fondeve publike, duke u mbështetur në rekomandimet e auditorit të ZKA-së dhe rekomandimet e Njësisë së Auditimit të Brendshëm të KPK-së.
Auditorja e Përgjithshme, Spanca dhe Kryesuesi i KPK-së, Maloku, u dakorduan për nevojën e organizimit të trajnimeve të përbashkëta me prokurorë, me qëllim që të diskutohen dhe trajtohen rekomandimet e auditimit, duke theksuar përkushtimin e përbashkët për të punuar gjithnjë në interes të rritjes së përgjegjësisë publike në fushën e zbatimit të ligjit.
Maloku dhe Spanca u zotuan që në të ardhmen të ketë më shumë takime të tilla për të identifikuar sfidat dhe për të trajtuar tema me interes të përbashkët në funksion të menaxhimit të financave publike, thuhet në njoftim. /2LONLINE/