“Nga takimi i sotëm, kryesia e degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan mbetet pranë qëndrimit që grupi i këshilltarëve të PDK-së të mos jetë pjesë aktive e seancave të komiteteve dhe të kuvendit të komunës përderisa komuna nuk e kthen në agjendë çështjen e zgjidhjes së lokacionit për varrezat e qytetit për çka edhe janë thirr dy herë deri më tani seanca të jashtëzakonshme nga blloku opozitar”.
Kështu thuhet në një komunikatë të kryesisë së Degës së PDK-së , sipas të cilës, pushteti komunal me udhëheqjen hermetike dhe autoritare të Lutfi Hazirit shumicën e qeshjeve të rëndësishme për jetën e qytetarëve të kësaj komune i ka premtuar e nuk i ka nisë kurrë e nëse ndonjë e ka nisur, e ka lënë kështu sikur edhe çështjen e lokacionit të varrezave në çerek dhe në gjysmë të rrugës.
“Kështu është puna me furnizimin me ujë të pijes, me trajtimin e ujërave të zeza, me zonën ekonomike, me reformën, disiplinën dhe suksesin në arsim, në shëndetësi, me pranimin e kuadrove në të gjitha sektorët etj, duke e politizuar, polarizuar dhe ndarë qytetarinë e Gjilanit skajshmërish”, thuhet tutje në komunikatë.
Më tej thuhet se është koha e fundit që jo vetëm opozita brenda kuvendit të komunës por edhe shoqëria civile e komunës dhe secili qytetarë me moral dhe guxim publik t’i kundërvihet kësaj mënyre despotike dhe tepër fyese të qeverisjes së Lutfi Hazirit dhe klanit të tij korruptiv dhe të interesit ekskluzivisht të ngushtë personal dhe klanorë.
“Ndryshe, dhembja dhe dëmi publik që do ta përjetojmë të gjithë bashkë pa dallim ideologjie, besimi dhe etnie nga kjo qeverisje e keqe “tallava” në muajt dhe vitet që vijnë do të jetë gjithnjë e më e madhe dhe e pakompensueshme”, thuhet në fund të komunikatës së kryesisë së Degës së PDK-së në Gjilan.
Përndryshe seanca e radhës e Kuvendit Komunal të Gjilanit mbahet të enjten (26.12.2019)
shih shkrimin:Më 26.12.2019 mbahet seanca e Kuvendit Komunal – Ja rendi i punës