Padyshim që Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK janë forcat më të mëdha politike në vend.
Shkruan: Fazli Behluli
Bashkimi i këtyre dyjave në çfarëdo kombinimi politik në zgjedhje do të jetë triumfues. Andaj PDK-ja me çdo kusht do të dëshironte ta ndalte këtë bashkim.
Në qoftë se LDK nuk pranon të hyjë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje ka vetëm një shpjegim: kjo parti është e vendosur të vazhdojë krimi dhe rrënimi ekonomik i Kosovës, të vazhdojë dialogu jo profesional e cila çon në idenë e ndarjes së Kosovës, rrjedhimisht në ide serbe dhe ruse për copëtimin e Kosovës dhe në ndryshimin e gjeopolitikës botërore krejtësisht të pafavorshme për Kosovën.
Nuk do dëshiroja që ata të jenë hisedar në këtë lojë të presidentit për korrigjimin e kufijve e cila na shpie në ndarje pa marrë parasysh a do ketë korrigjim, shkëmbim territoresh apo çfarë do qoftë të natyrës së njëjtë, kjo do ti ndryshonte kufijtë dhe do të ishte ndarje dhe copëtim i Kosovës, gjë e cila asesi nuk duhet të ndodhë.
LDK është në një udhëkryq jo pse është vetëm parti e madhe dhe balancuese por për faktin se ka ditur të bëjë koalicione të cilat shpeshherë kanë qenë veprime jo të drejta për interesin e Kosovës.
Ajo ka përgjegjësi para elektoratit të saj dhe para popullit të Kosovës që kësaj here e kanë mundësinë e korrigjimit të gabimeve të tilla ose të vazhdojnë t’i ruajnë interesat e tyre klanore të interesit kleptokratik ekonomik, në politikë interesat më të mëdha janë interesat e popullit dhe tani e presim kryeshërbëtorin e ri.
/autori është politolog dhe analisti/