Në kuadër të javës së 26-të të Superligës së Kosovës në futboll, në Gjilan u luajt kryendeshja Drita – Gjilani, që përfundoi pa fitues, rezultati final i takimit ishte 2:2.
Ishte një ndeshje ku u pa, spektakël, luftë e fortë në fushën e blertë, loje e bukur, dyluftime lojtarësh, raste të shumta nga të dyja palët… që sollën një epilog me katër gola, tre kartonë të kuq, adrenalinë për shikues në tribuna dhe ata pranë ekraneve televizive.
Drita nuk arriti ta shfrytëzojë barazimin e djeshëm të dy skuadrave që i ka para vetës, liderin aktual Ballkanin dhe Llapin, i dyti në tabelë, që dje mes tyre barazuan pa gola. Në anën tjetër, Gjilani pas fitores ndaj Lirisë, tani mori një pikë edhe nga ky derbi, pikë kjo e vlefshme për t’iu shmangur zonës së barazhit, përkatësisht pjesës së fundme të tabelës.
Me këtë barazim, Drita mbetet në vendin e tretë me 50 pikë, një më pak se Llapi dhe dy më pak se lideri, Ballkani, derisa Gjilani tani ndodhet në pozitën e shtatë, me 26 pikë të grumbulluara.
Java e 26-të
Drita – Gjilani 2:2
Golashënues
Baftiu 24’ – 1:0
Basha 31’ – 1:1
Ismajli 44’ – 1:2
Dabiqaj 55′ – 2:2
Të ndëshkuar me përjashtim nga loja: Ajzeraj (Drita), Shehi, Kqiku (Gjilan). /2LONLINE/