Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në konferencën “Orientimet Strategjike për Vetëqeverisje Lokale 2016-2026”. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ljubomir Mariq, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean Claude Schlumberger, deputetë, kryetarë të komunave dhe përfaqësues të tjerë politikë e institucionalë në Kosovë.
Kryeministri Isa Mustafa tha se aktualisht objektiv themelor është që qeverisja lokale të ofrohet sa më shumë me qytetarin dhe të ecet proceseve të integrimit në agjendën evropiane.
“Komunat deri më tani keni bërë një hap shumë të rëndësishëm të këtij përafrimi evropian, veçmas me përmbushjen e shumë detyrave dhe shumë kritereve për liberalizimin e vizave, që kanë qenë në përgjegjësi të pushtetit lokal”, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri Mustafa ka vlerësuar punën e suksesshme që kryetarët e komunave dhe zyrtarët komunalë kanë bërë në këto fusha.
“Si Kosovë, kemi arritur mjaft shumë gjatë këtij mandati; kemi nënshkruar MSA-në, që është marrëveshja e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, e cila hyri në fuqi me 1 prill të këtij viti, jemi përfshirë në programin e MCC-së, në programin e Korporatës së Sidave të Mileniumit të SHBA-së, që mundëson qindra miliona dollarë investime në Kosovë për një periudhë të ardhshme kohore, kemi marrë rekomandimin për liberalizim të vizave. Nuk është me rëndësi të vogël anëtarësimi ynë në UEFA dhe pritjet reale që sot ose nesër do të anëtarësohemi edhe në FIFA. Kjo do të mundësojë që me flamurin dhe identitetin tonë shtetëror të rinjtë tanë të prezantohen anembanë Evropës dhe botës. Së bashku me këtë arritje, ne kemi marrë përgjegjësi dhe më shumë që ta forcojmë partneritetin me BE-në dhe SHBA-në, partneritet ky që nënkupton edhe të implementojmë kritere të larta demokratike, sa i përket të drejtat e njeriut dhe të zgjidhjes së problemeve zhvillimore dhe sociale të qytetarëve tanë”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa po ashtu tha se Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Strategjisë për Vetëqeverisje Lokale po bënë përpjekje për një sistem akoma më të avancuar dhe funksional të vetëqeverisjes lokale, rezultatet e të cilit mund të priten në periudhën e ardhshme dhjetëvjeçare.