Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi një bisedë telefonike me Ndihmës Sekretaren për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Karen Donfried.
Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike Donfried e falënderoi kryeministrin Kurti për strehimin e refugjatëve afganë me ç’rast Kosova ka demonstruar se është partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kryeministri Kurti u shpreh se kjo ishte një çështje humanitare të cilën populli i Kosovës e njeh mirë, dhe se Kosova dhe populli i saj janë çdoherë të gatshëm për t’iu përgjigjur thirrjes për ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët i konsideron aleat dhe partner strategjik.
Duke shprehur dhe ofruar mbështetjen e ShBA-ve për forcimin e demokracisë dhe integrimet euro-atlantike për Kosovën, Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Donfried e falënderoi Kosovën për pjesëmarrje në Samitin e Demokracive. Ndërsa, kryeministri Kurti e falënderoi për ftesën që Kosova të jetë pjesë e këtij samiti dhe tha se e mirëpret dhe është i inkurajuar nga fakti që Presidenti Biden e ka shpallur krimin e korrupsionin kërcënim të sigurisë kombëtare për SHBA-në, por edhe për demokracinë në mbarë botën. Më tej, gjatë bisedës, ai tha se Kosova ka shënuar progres ekonomik këtë vit me një rritje prej 9,9%, pastaj rritje prej 60% të eksporteve, shtim 30% të të hyrave buxhetore dhe 53% në investimet e huaja e po ashtu ka rritur sundimin e ligjit në gjithë territorin.
Në lidhje me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Donfried tha se është i rëndësishëm takimi i liderëve, se duhet të ketë një agjendë me tema, përherë në funksion të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës së pavarur.
Kryeministri Kurti, në anën tjetër, theksoi se ka qenë çdoherë aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe nuk ka refuzuar asnjë ftesë për takim e duke bërë edhe propozime konkrete për zgjidhje. Ai tha se është e rëndësishme që të kemi një agjendë për vitin 2022 dhe se marrëveshja duhet të ketë në qendër njohjen reciproke me qytetarët si përfitues përfundimtar.
Në mbyllje të bisedës të dy shkëmbyen mesazhe urimi për vitin 2022. /2LONLINE/