“Sektori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është i një rëndësie të veçantë për Qeverinë e Republikës së Kosovës, sepse përveç që prodhon e siguron ushqim, krijon edhe vende pune”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.
Në fjalën e tij para medieve, kryeministri Kurti teksa listoi të arriturat në këtë fushë dhe shprehu mbështetjen për prodhuesit vendorë, tha po ashtu se vizioni ynë është për një bujqësi e agroindustri të qëndrueshme, që ofron ushqim të bollshëm dhe të sigurt për qytetarët e vendit.
Pas tetë viteve pa strategji, kryeministri Kurti, theksoi se Qeveria ka hartuar Strategjinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021-2027 dhe është duke e finalizuar Strategjinë 10- vjeçare për pylltarinë 2021-2030.
“Thirrjet për subvencione vitin e ardhshëm do të hapen në çerekun e parë të vitit dhe do të përmbyllen deri në mes të prillit. Sepse investimet në këtë sektorë kaq të rëndësishëm kërkojnë vëmendje dhe kohë në planifikim e zbatim. Ministrinë e kemi gjetur me 40 milion euro obligime ndaj fermerëve në kategorinë e subvencioneve, të cilat i kemi adresuar. Me buxhetin e ri të Qeverisë së re, vitin 2022 do e fillojmë me zero obligime financiare karshi fermerëve. Ndërkaq përkrahja e cila për një vit kalendarik e arriti vlerën mbi 50 milionë euro, vitin e ardhshëm do te rritet me 11 milionë euro buxhet shtesë për fermerët e prodhuesit vendor” nënvizoi kryeministri Kurti.
Më tej, kryeministri Kurti u shpreh se si qeveri kanë aplikuar në garë ndërkombëtare, për afro 20 milionë euro grant në programin për Bujqësi Globale dhe siguri ushqimore. “Qeveria është në anën e prodhuesve”, tha ai.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, shtoi se zhvillimi dhe implementimi i politikave të favorshme bujqësore janë prioritet i tij, derisa përmendi gjithë punën që është bërë përgjatë 8 muajve qeverisje për të arritur deri këtu ku janë sot. /2LONLINE.com/