Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, ka filluar sot vizitën dyditore në Japoni me rastin e ceremonisë lamtumirëse dhe funeralit shtetëror në nderim të ish-kryeministrit të Japonisë, z. Shinzo Abe.
Në ditën e parë të qëndrimit atje, ai u prit nga Kryetari i Kuvendit të Japonisë, Hiroyuki Hosoda.
Në këtë takim u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, investimet në fushën ekonomike dhe tregtare, si dhe për rrethanat gjeostrategjike.
Kryeministri Kurti e ka ngushëlluar Kryetarin Hosoda me rastin e vdekjes së ish-kryeministrit Shinzo Abe, duke vlerësuar lart rolin e ish- kryeministrit Abe për paqen dhe demokracinë në botë dhe duke shprehur konsiderata të larta për miqësinë e treguar për popullin e Kosovës dhe për rolin e tij përmes iniciativës japoneze bashkëpunuese për Ballkanin Perëndimor.
Gjatë takimit, z.Hosoda u njoftua për sukseset në Kosovë, punën paralele në rrafshin demokratik dhe zhvillimor dhe për rritjen ekonomike mbi 10%.
Sa i përket invazionit të paprovokuar të Federatës Ruse në Ukrainë, kryeministri Kurti theksoi se Kosova i është bashkuar ShBA-ve, BE-së, Japonisë dhe vendeve të tjera demokratike, duke vendosur sanksione kundër Rusisë dhe duke mbështetur popullin e Ukrainës. Kryeministri Kurti ka ndarë pikëpamje të njëjta me palën japoneze lidhur me gjeopolitikën aktuale.
Kryetari i Kuvendit të Japonisë z. Hiroyuki Hosoda e ka falënderuar kryeministrin Kurti për vizitën. Ai tha se i kujtohet shumë mirë gjendja e refugjatëve të Kosovës në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut gjatë luftës në Kosovë, të cilët i ka vizituar gjatë vitit 1999, duke parë e përjetuar nga afër vuajtjet e tyre. Kryetari i Kuvendit japonez ka përshëndetur konfirmimin e pjesëmarrjes së Kosovës në Osaka Expo 2025.
Në takim, po ashtu u bisedua edhe për rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, si dhe bashkëpunimin në fushën e TIK-ut dhe të mbrojtjes nga sulmet kibernetike. /2LONLINE/