Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim z. Shaip Kamberi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik dhe shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA” në Kuvendin e Serbisë, së bashku me shefin e tij të kabinetit, z.Rahim Salihu.
Kryeministri Kurti dhe z. Kamberi biseduan për çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe në viset e tjera në Serbi.
Në takim u diskutua për të drejtat që i kanë shqiptarët përmes Këshillit Nacional Shqiptar, si edhe rrudhjen e tyre nga një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, nga janari i vitit 2014.
Kryeministri Kurti dhe z. Kamberi diskutuan edhe për takimin e 15 qershorit në Bruksel, për dialogun e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi statusin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Temë e bisedës ishin edhe dy samitet e liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtura këtë muaj në Tiranë dhe në Vjenë.
Takimi me z. Shaip Kamberi është në vazhdën e takimeve që kryeministri Kurti mban me përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit për avancimin e të drejtave të shqiptarëve.