Gjatë qëndrimit të tij në Vjenë të Austrisë, ku mori pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u takua dhe u shoqërua me pjesëtarë të mërgatës sonë atje.
Ai i njoftoi me zhvillimet e fundit në vend, reformat e ndërmarra dhe me punën e deritanishme të Qeverisë, teksa diskutuan për zhvillimin e vendit dhe përfshirjen dhe rolin aktiv të mërgatës në atë drejtim.
Kryeministri i falënderoi të pranishmit për mikpritjen e ngrohtë dhe të gjithë diasporën për angazhimin e palodhshëm dhe kontributin e vazhdueshëm. Ai u shpreh se diaspora është pjesë përbërëse e së kaluarës, tashmes dhe të ardhmes së vendit, dhe i ftoi që së bashku me partnerët e tyre të biznesit të hulumtojnë mundësitë e investimeve në Kosovë.
Rikujtojmë se javën që lëmë pas u lansua Programi për Diplomaci Qytetare nëpërmjet të cilit 10 profesionistë të rinj të përzgjedhur nga diaspora, për 6 muaj do të angazhohen në projekte të ndryshme të MPJD-së, me qëllim rritjen e përfshirjes së diasporës në diplomaci publike. /2LONLINE/