Qëndrimin dyditor në Strasburg të Francës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e filloi me takimin me eurodeputetë të Grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian, Lukas Mandl nga Austria, Michael Gahler, Rainer Wieland dhe Niklas Herbst nga Gjermania, Karlo Ressler nga Kroacia, Franc Bogovic nga Sllovenia, Vladimir Bilcik nga Sllovakia. EPP përbën grupin më të madh politik në Parlamentin Evropian.
Bashkë me ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, kryeministri Kurti i njoftoi deputetët evropianë për zhvillimet e fundit në vend, arritjet kryesore të qeverisë, e cila javën tjetër mbushë plot dy vjet, sukseset në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, dhe për përmirësimet në indikatorët demokratikë dhe ekonomikë, të evidentuara edhe në raportet ndërkombëtare. Së fundmi, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova është renditur e para në Ballkanin Perëndimor me rritjen më të madhe të të hyrave tatimore mes vitin 2020-2022, dëshmi e formalizimit të ekonomisë, mbledhjes së borxheve dhe e gatishmërisë së qytetarëve dhe bizneseve që të paguajnë tatime. Teksa është ngritur për 20 vende në dy vitet e fundit në indeksin e perceptimit të korrupsionit sipas Transparency International.
Në takim gjithashtu u diskutua edhe për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, në dhjetor të vitit të kaluar, dhe për aplikimin në Këshillin e Evropës, në maj të vitit të kaluar, dy organizata këto me të cilat shteti dhe populli i Kosovës ndajnë synime, vlera dhe bindje të përbashkëta. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e përkrahjes së Parlamentit Evropian në trajtimin sa më të shpejtë të aplikimeve të Kosovës dhe mbështetjes përgjatë gjithë rrugëtimit integrues. U folë edhe për takimin e 18 marsit në Ohër, mundësitë që paraqet dhe pritjet nga ai takim.
Eurodeputetët dhanë vlerësimin e tyre pozitiv dhe shprehen mbështetjen e plotë ndaj reformave të qeverisë, përparimit demokratik, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
Kryeministri Kurti po qëndron në Strasburg për të marrë pjesë në takimin e 10-të të Komitetit Parlamentar për marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila, Fitore Pacolli Dalipi, Jeta Statovci, dhe Armend Muja. /2LONLINE/