Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zhvilluan takim me Ministrin e Agrikulturës të Republikës Federale të Gjermanisë, z.Cem Özdemir.
Në takim u vlerësua mbështetja e vazhdueshme nga Republika Federale e Gjermanisë për Republikën e Kosovës dhe marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve. U fol për agjendën progresive të të dy qeverive dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit, në fushat dhe projektet në të cilat shteti i gjerman mund të ofrojë përkrahje.
U bisedua për rëndësinë e zhvillimit të sektorit të bujqësisë nëpërmjet transformimit të zonave rurale në vende tërheqëse për punë dhe jetesë, si dhe për ndërtimin e sistemeve ushqimore të qëndrueshme.
Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e investimeve në sektorin e industrisë agroushqimore në Kosovë, si në aspektin e sigurisë ushqimore, punësimit dhe ruajtjes së shëndetit të konsumatorëve dhe mjedisit. /2LONLINE/