DYLON

Kurti: Kosova e përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit me Iowa-n

Kurti: Kosova e përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit me Iowa-n
Avatar photo Redaksia

Partneriteti strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rritja e bashkëpunimit mes Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, ishin tema bosht të takimit, që Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pati me Senatoren nga shteti i Iowa-s, Joni Ernst.

Në këtë takim, që u zhvillua në margjina të Konferencës së Sigurisë së Mynihut, kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fushat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai falënderoi senatoren Ernst, veçanërisht për përkrahjen dhe ndihmën që ShBA-të dhe shteti i Iowa-s i ka dhënë Kosovës, për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

EkoHigjiena

Jemi krenarë për bashkëpunimin tonë të fortë, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, tha kryeministri Kurti. Ai shtoi se ishte kënaqësi e madhe që gjeneralmajor Corell nga Garda Kombëtare e Iowa-s ishte në Kosovë për Ditën e Pavarësisë.

Senatorja amerikane konfirmoi mbështetjen e saj për Republikën e Kosovës, përtej partneritetit ushtarak, në të gjitha fushat zhvillimore.

Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e dhënë, kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret avancimin e bashkëpunimit me Iowa-n, shkëmbimin e praktikave, veçanërisht në ekonomi, bujqësi, mjedis e energji të ripërtërishtme.

Kryeministri theksoi punën dhe angazhimin e vazhdueshëm për avancimin e FSK-së në një ushtri moderne, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ai rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për integrim në aleancën më të madhe të paqes e sigurisë në botë, NATO, për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë në rajon dhe botë. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.