Republika e Kosovës sot qëndron si partnere e palëkundur e vendeve mike dhe aleate në mbrojtjen e parimeve të paqes e të sigurisë, dhe të vlerave demokratike evropiane e amerikane, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti në manifestimin qendror në shënimin e 14 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Kryeministri theksoi se Republika e Kosovës është e përcaktuar në anëtarësimin në institucionet euroatlantike, në NATO e në Bashkimin Evropian dhe çdo ditë punojmë për ta dëshmuar përkushtimin tonë në këtë drejtim, e për të ecur në këtë udhë të drejtë.
Republika jonë mbanë energjinë e moshës së re dhe urtinë e idesë së moçme, tha ai, duke shtuar se suksesin e këtyre dy vetive e garanton mirëqenia e qytetarëve, por mbi të gjitha jeta e mirë e qytetarëve, jeta e sigurt dhe e lirë.
Në këtë ceremoni të organizuar në shënim të 14 vjetorit të Pavarësisë, kuadratet e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, parakaluan nga sheshi “Skënderbe” deri te sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. /2LONLINE/