Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim përfaqësuesit e Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), kryesuar nga Presidenti, z. Derek Mitchell.
Thellimi i bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet Qeverisë dhe NDI, ishte tema kryesore e takimit të përbashkët me zëvendës Ministrin e Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti dhe drejtorin rajonal të NDI për Evropën Juglindore Robert Benjamin, Drejtoren e NDI për Kosovë, Nancy Soderberg, zëvendës drejtorin e NDI në Kosovë, Valon Kurhasani dhe Menaxherin e Lartë të Programit, Pajtim Gashi.
Qeveria e re, jo vetëm për nga koha e marrjes së detyrës, por edhe për nga stili i udhëheqjes, është qeveria e ndryshimeve dhe mundësive të mëdha për njerëzit, tha Kryeministri Kurti.
Ai bëri të ditura rezultatet dhe pritjet për zhvillim ekonomik, ku në bazë të projeksioneve dhe statistikave të deritanishme deri në fund të këtij viti Kosova do të ketë një rritje mbresëlënëse dyshifrore. Sipas vlerësimit të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia jonë do të rritet për 9.9%. Ndërsa krahasuar me vitin paraprak, të hyrat tatimore për periudhën janar – shtator janë rritur për 33% dhe eksportet për 68%.
Bazuar në këtë performancë të shkëlqyer ekonomike, projektbuxheti i vitit 2022 është më i larti dhe më gjithëpërfshirësi ndonjëherë, në vlerë 2.75 miliardë euro.Kryeministri vuri theksin te përkushtimi për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe intensifikimi i luftës kundër kontrabandës, evazionit fiskal e kriminalitetit në gjithë territorin e Republikës, duke përmendur rezultatet konkrete në këta shtatë muaj.
Lidhur me gjendjen aktuale me pandeminë, kryeministri Kurti i njoftoi që përkundër asaj që kur Qeveria ka pranuar detyrën nuk ka pasur vaksina të blera e as të kontraktuara, brenda shtatë muajsh janë administruar afër 1.6 milion doza. Deri më tani janë rreth 63% të qytetarëve mbi 16 vjeç të vaksinuar me të paktën një dozë, ndërsa mbi 54% kanë marrë dy dozat e vaksinës, gjë që e bën Kosovën të prijë në rajon.
U bisedua për rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në politikbërje dhe vendimmarrje, si dhe afrimin e institucioneve me qytetarët.
Temë e takimit ishin edhe zgjedhjet lokale të mbajtura si dhe balotazhi që po afrohet. Zgjedhjet e lira dhe demokratike të 17 tetorit u vlerësuan për mbarëvajtjen e tyre.
U bisedua për mbështetjen e mëtjeme nga NDI, që është organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse, që punon në përkrahjen dhe forcimin e institucioneve demokratike në mbarë botën, nëpërmjet pjesëmarrjes së qytetarëve, transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë. /2LONLINE.com/