Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar ngjarjet e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicë, në takimin me z.Gani Xhaka dhe z.Luan Abrashi, të cilëve atë natë u janë vrarë familjarët në veri të Mitrovicës.
Duke falënderuar kryeministrin Kurti për vëmendjen dhe kujdesin, ata theksuan se kjo është ftesa e parë për takim në kryeministri në këto 22 vite.
Z.Xhaka kujtoi natën e 3 shkurtit, kur nga bomba e tretë e hedhur në banesë u plagos rëndë bashkëshortja e tij Nerimanja, si dhe vajza e tyre Eminja, 11 vjeçare. Ai rikujtoi tmerrin e qëndrimit në banesën e cila ishte kapluar nga zjarri pas bombës së hedhur, ndërsa nuk guxonin të hapnin dritaret pasi serbët e armatosur ishin çdokund.
Pas rreth 4 orësh kishin arritur të largohen për në spital, ku bashkëshortja dhe vajza ishin shtrirë në kate të ndara. Nga plaga e rëndë në abdomen, Nerimanja ndërroi jetë në ora 22:00. Ganiu kujtoi atë natë të rëndë, kur i qëndroi pranë bashkëshortes deri në frymën e fundit. E pas kësaj, mblodhi forcat që të ngushëllonte vajzën e plagosur.
Familja Xhaka jetonte në të njëjtën rrugë me familjen Abrashi, në veri të Mitrovicës.
Luani ishte vetëm 11 vjeçar kur iu vra e ëma, Sebiha Abrashi, nga të shtënat në ndërtesën ku jetonin në veri të Mitrovicës. Ai tregoi se pronat e tyre ishin detyruar t’i shesin në vitin 2009.
Atë natë ishte vrarë edhe shoku i Luanit, Nderim Ajeti, 13 vjeçar.
Para 22 vitesh, natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, strukturat kriminale të Serbisë me formacione të armatosura vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleqë, e plagosën 25 të tjerë, në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.
Nerimane Xhaka, Sebiha Abrashi, Nderim Ajeti, Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Selime Berisha, Muharrem Sokoli dhe Remzije Canhasi, u vranë nga plumbat e bombat e strukturave kriminale, me planin për ta spastruar atë pjesë nga shqiptarët.
Atë natë filloi edhe dëbimi i rreth 12 mijë banorëve shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit, duke lënë prapa shtëpitë e tyre. Kjo shënon edhe përmbysjen demografike të asaj pjese të Kosovës me shumicë shqiptare në favor të serbëve. /2LONLINE/