Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, priti sot në takim drejtorin e Divizionit të Euroazisë në “Zërin e Amerikës”, z. Elez Biberaj.
Kryeministri Kurti e vlerësoi “Zërin e Amerikës” si zë të informacionit të lirë që promovoi ndryshimet e mëdha për shqiptarët e Kosovës dhe jashtë saj. Në veçanti, ai e vlerësoi angazhimin e z. Biberaj si historian dhe gazetar me përvojë 40-vjeçare.
U theksua roli i “Zërit të Amerikës” për përhapjen e lirisë dhe demokracisë dhe për forcimin e miqësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën.
Në takim ishin të pranishëm edhe shefi i shërbimit në gjuhën shqipe të “Zërit të Amerikës”, z. Arben Xhixho dhe korrespodenti i “Zërit të Amerikës” në Kosovë, z. Leonat Shehu.