Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia pritën në takim delegacionin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i përbërë nga Drejtori i Departamentit të Shëndetësisë në Abu Dhabi, Sheikh Abdulla bin Mohammed bin Butti Al Hamed, Ministri i Shtetit Dr. Maitha bint Salem Al Shamsi, Ambasadorja e Emirateve të Bashkuara Arabe në Republikën e Kosovës, znj. Nabila Alshamsi.
Delegacioni ka ardhur për vizitë në Kosovë me rastin e inaugurimit të spitalit të fëmijëve “Sheikha Fatima”, në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, që u ndërtua me mbështetjen financiare të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kryeministri i falënderoi zyrtarët për kontributin e Emirateve të Bashkuara Arabe për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore dhe bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.
Ai tha se Emiratet e Bashkuara Arabe janë partner shumë i rëndësishëm ekonomik për shumë shtete në botë dhe do të mund të ndihmonin Kosovën në sigurimin e njohjeve të tjera.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen edhe për ndihmën që 1600 ushtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe në kuadër të NATO-s, u kanë dhënë refugjatëve nga Kosova në Shqipëri, pas dëbimit me dhunë nga shtëpitë e tyre në vitin 1999.
Ai theksoi nevojën për investime nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Kosovë dhe për intensifikim të bashkëpunimit ekonomik e tregtar. Njëherësh kryeministri Kurti ua përcolli zyrtarëve ftesën për vizitë në Kosovë të Shkëlqesisë së tij, Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Khalifa bin Zayed Al Nayhan dhe të Shkëlqesisë së tij, Kryeministrit Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum.
Zyrtarët e shëndetësisë së Emirateve thanë se përkrahja financiare për ndërtimin e spitalit të fëmijëve ka qenë ndihmë humanitare për popullin dhe shtetin e Kosovës. Ata premtuan që do të vazhdojnë mbështetjen për spitalin dhe trajnimet për stafin mjekësor për përdorimin e pajisjeve mjekësore.