Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, priti në takim Ministrin e Shëndetësisë, z.Rifat Latifi, Zëvendësministren e Shëndetësisë, znj.Dafina Gexha-Bunjaku dhe Bordin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, ku diskutuan për vështirësitë e sfidat në sistemin shëndetësor.
Në një takim të gjatë u shqyrtuan këto gjashtë tema kapitale:
1) Ndarja dhe bashkëpunimi publiko-privat në sektorin e shëndetësisë.
2) Sistemi Informativ Shëndetësor dhe sigurimet shëndetësore.
3) Reforma e sistemit shëndetësor, në veçanti e ShSKUK-së, për fuqizimin e QKUK-së, të spitaleve rajonale dhe kujdesit parësor shëndetësor.
4) Raporti i sektorit publik të shëndetësisë, si shërbim e kujdes profesional me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit, si vatër e kërkimit, hulumtimit dhe studimit shkencor.
5) Nevoja për Spitalin rajonal të Prishtinës.
6) Raporti i MSh-së dhe ShSKUK-së me pesë odat e profesionistëve shëndetësorë: të mjekëve, të infermierëve, të stomatologëve, të farmacistëve dhe të fizioterapeutëve.
Kryeministri shprehu zotimin e tij për mbështetje të sektorit të shëndetësisë dhe për angazhim të shtuar për këtë fushë tejet të rëndësishme për shëndetin, jetën dhe mirëqenien e qytetarëve. /2LONLINE/