Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim një delegacion të deputetëve të Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, që udhëhiqej nga kryetari i Grupit Parlamentar, z. Taulant Balla.
Pjesë e delegacionit ishin znj. Anila Denaj, zëvendëskryetare e Grupit Parlamentar të PS në Kuvendin e Shqipërisë, z. Arben Pëllumbi, kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, znj. Gerta Duraku, deputete e Qarkut të Kukësit, z. Benet Beci, deputet i Qarkut të Shkodrës, z. Alqi Bllako, deputet i Qarkut të Tiranës dhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi.
Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i veprimeve, në veçanti në politikën e jashtme të të dyja shteteve, ishin tema kryesore e takimit.
Duke theksuar stabilitetin institucional në të dy shtetet, si rezultat i udhëheqjes nga qeveri që kanë shumicën në parlament, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, z. Taulant Balla, tha se duhet të shfrytëzohet ky moment për angazhim edhe më të madh të deputetëve në intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Roli i deputetit nuk është vetëm miratimi i ligjeve, por edhe angazhimi për promovimin dhe mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare, theksoi z. Balla. Ai tha se resurset dhe përvoja e deputetëve shqiptarë do të jenë në shërbim të lobimit dhe mbrojtjes së interesit të Kosovës në organizatat dhe forumet ndërkombëtare.
Kryeministri Kurti u shpreh i nderuar për vizitën e delegacionit të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe u pajtua se ka shumë mundësi bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të të dyja shteteve.
Në kohën e krizës energjetike që ka përfshirë Evropën dhe rajonin, kryeministri Kurti vuri theksin sidomos te bashkërendimi i politikave energjetike. Bashkërendim politikash nevojiten edhe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, tha ai dhe shtoi se blerja e objekteve dhe vendosja e ambasadave në ambiente të përbashkëta do të kursente buxhetet dhe do të lehtësonte bashkëpunimin.
Në takim ishin të pranishëm edhe udhëheqësja e Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes” në Kuvendin e Republikës së Kosovës, znj. Mimoza Kusari dhe deputeti z. Gani Krasniqi. /2LONLINE/