Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka vizituar disa nga marketet në qendër të Prishtinës, me qëllim promovimin e praktikës për zvogëlimin e qeseve të plastikës tek qytetarët e Republikës së Kosovës, me thirrjen “Thuaj jo qeseve plastike”.
Në vizitën e tij tek marketet, Viva Fresh dhe Maxi, kryeministri Kurti, duke folur për udhëzimin administrativ dhe specifikat dhe këshillat për qytetarë dhe përfaqësuesit e bizneseve, tha se në kuadër të ndryshimeve që po dëshirojmë t’i sjellim me qeverisjen tonë demokratike për mbrojtje të ambientit edhe ishin sot këtu në kuadër të kësaj fushate “Le t’i themi jo qeseve të plastikës”.
Duke dhënë detaje mbi këtë fushatë, kryeministri theksoi se qeset pa vjegëza, pa dorëza, prej 0 deri në 25 mikronë, do të mund të jepen falas, ndërkaq këto prej 25 mikronë deri në 50 mikronë, përveç se nuk do të kenë logo më, gjithashtu edhe do ta kenë një kosto prej 5 centë për qese, meqenëse në këtë mënyrë edhe do të rritin ndjeshmërinë e përgjegjësinë për ambient, por gjithashtu edhe do t’i vetëdijësojmë njerëzit për ndryshimet klimatike.
“E kemi parë të gjithë që vërshimet që janë shkaktuar në Kosovë na kanë nxjerrë në pah sa shumë qese të panevojshme plastike janë shndërruar në mbeturina që në mënyrë masive kanë ndotur ambientin, prandaj shpresoj në bashkëpunimin e juaj me këtë udhëzim të ri administrativ dhe me këtë fushatë”.
Ndërkaq, me këtë rast, kryeministri Kurti u ka bërë thirrje edhe marketeve, që ta zbatojnë me përpikëri Udhëzimin Administrativ, njëkohësisht i ka ftuar qytetarët që kur të shkojnë të blejnë në markete t’i marrim torbat me vete.
Me këtë rast, ai e ka falënderuar Ambasadën gjermane, zëvendës ambasadorin Matthias Conrad, i cili i është bashkuar sot ministrit Liburn Aliu, në këtë vizitë në markete me fushatën, “Thuaj jo qeseve të plastikës”.
Ndërkaq, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se meqenëse qeset në të kaluarën janë dhënë falas, numri i përdorimit të tyre ka qenë jashtëzakonisht i madh, aq sa që konsumatorët vetëm për një produkt i kanë marrë disa qese. Andaj edhe ndotja ka qenë më e madhe.
Më tej, ai foli për llojin dhe rëndësinë e qeseve me trashësi më të madhe që mund të ripërdoren dhe për përdorimin e torbave. /2LONLINE/