“Ne nuk kemi jetë grash e vajzash për të humbur. Pabarazitë, padrejtësitë e paragjykimet duhet t’i luftojmë bashkë, prandaj na nevojitet angazhim maksimal, bashkim i forcave të organeve shtetërore, dhe prioritizim i rasteve të dhunës në familje, ashtu që të kemi rezultat të suksesshëm”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takimin konsultativ me temën “Përgjigjet institucionale ndaj dhunës kundër grave në periudhën (post) Covid-19”.
Mungesa në drejtësi dhe barazi, i nxit normat sfiduese dominante e patriarkale dhe padrejtësia shtesë nga mosveprimi i shtetit në rolin e tij si mbrojtës, e bën më të ashpër e të dukshme këtë. Kjo ngulfatje po na dërgon deri te mohimi i së drejtës për jetë të grave dhe vajzave tona në Kosovë. Përbrendësimi i kësaj situate kërkon jo heshtje, por veprim, jo fshehje të së vërtetës, por ndërhyrje në thelbin dhe rrënjën e gjërave, tha kryeminsitri
Kryeministri falënderoi të gjithë që ofrojnë mbrojtje dhe mbështetje për gratë dhe vajzat, kudo dhe kurdo që ato kanë nevojë për ndihmë.
“Jeta e dinjitetshme dhe e drejta për ta gëzuar atë, janë të drejta të garantuar me Kushtetutë dhe ligj, dhe asnjëri nuk mund ta mohojë këtë gjë. Çdo tentativë e mohimit të saj, është jo veç se e ndaluar por edhe e dënueshme”, tha ai, duke theksuar se detyra e shoqërisë e veçanërisht Qeverisë është që të garantojnë një ambient të sigurtë e të jetueshëm, pa drojë e pa frikë.
Organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, në takimin konsultativ u bisedua për koordinimin ndër-sektorialë në luftimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave në Kosovë, gjatë dhe pas pandemise Covid-19.
Në këtë takimin konsultativ të nivelit të lartë, morën pjesë edhe Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu , Zëvendësministrja e Drejtësisë, njëherit Koordinatore Nacionale kundër dhunës në familje Nita Shala, Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit Edi Gusia, dhe përfaqësues të intitucioneve, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare. /2LONLINE.com/