Në një ceremoni të organizuar në Zyrën e Kryeministrit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënshkroi sot memorandum mirëkuptimi me znj. Kerstin Zielosko, Kryetare e Education Unlimited e. V.
Me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ekzistues, përmes këtij Memorandumi të Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Education Unlimited e. V., u vendosën parimet kryesore për vazhdim të bashkëpunimit mbi projektin arsimor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë.
Të dy palët u pajtuan që të kryejnë projekte të përbashkëta në fushën e arsimit, përfshirë, por duke mos u kufizuar, në programe të shkëmbimit për studentë dhe nxënës, projekte kërkimore, programe edukimi dhe trajnime, konferenca arsimore dhe kulturore, për një periudhë pesëvjeçare, me mundësi vazhdimi.
Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit ishin edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, znj. Arberie Nagavci, koordinatorja e Projektit, znj. Milote Sadiku dhe udhëheqësi i projektit, z. Luan Krasniqi.