Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministrin e parë të Republikës së Kosovës, për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Borrell dhe emisarit të tij z. Lajçak, u takuan sot në Bruksel me delegacionin nga Serbia, të përbërë nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq.
Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi, treguan qëndrimin kritik për procesin dhe marrëveshjet e deritanishme dhe shprehën gatishmërinë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjelltë.
Kryeminstri Kurti bëri katër propozime në këtë takim:
1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.
2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.
3. Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.
Për propozimin e parë të Kryeministrit Kurti, pala serbe nuk u përgjigj, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzoi.
U pajtuan që takimi i radhës do të mbahet para pushimit të verës që nis me 25 korrik, ndërsa nuk u pajtuan për agjendën e dialogut të ardhshëm. /2LONLINE.com/