Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në ceremoninë e diplomimit të 433 kadetëve të gjeneratës së 57-të të Policisë së Kosovës.
Kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që ishte me kadetët policorë në festimin e kësaj arritjeje të rëndësishme në jetën e tyre, atë të diplomimit. Ky çast, sipas tij, është kulmi i punës së palodhur dhe rezultati i përkushtimit të përditshëm.
Për Qeverinë tonë, mbrojtja dhe siguria e vendit, vendosja e rendit dhe ligjit, janë prioritet, u shpreh Kryeministri Kuri, para se të listojë të arriturat në fushën e sigurisë gjatë vitit të kaluar.
Policia e Kosovës, siç tha kryeministri, qëndron e palëkundur në misionin e ruajtjes së rendit dhe të sigurisë publike. “Ajo është në të përditshmen e qytetarëve, andaj ndryshimin dhe avancimin e saj e ndjejnë dhe përjetojnë sidomos qytetarët. Jemi të lumtur që Policia vazhdon të renditet ndër tri institucionet më të besueshme për qytetarët tanë”, deklaroi ai.
Kryeministri uroi që të shohim secilin nga ta në nivelin më të lartë të detyrës, ashtu siç e kanë bërë gjeneratat para tyre.
Në mesin e 433 kadetëve që diplomuan sot, ishin 56 gra, 17 serbë, 5 boshnjakë, 2 goranë, 1 turk dhe 1 rom. /2LONLINE/