Në Kamenicë, sot u vendos gurthemeli i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Fan S. Noli”. Kryeministri i Republikës së Kosovës, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të shoqëruar nga kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, e në praninë e mësimdhënësve dhe nxënësve ishin pjesë e ceremonisë së organizuar me këtë rast.
Para tyre, ai tha se përkujtimi i përvjetorit të vdekjes së rilindasit, Fan S. Noli, përmes emërtimit të shkollës, është simbolik domethënëse dhe zotim për vazhduar angazhimin në rrugën e dijes.
“Këtë gurthemel po e vendosim në muajin mars. Marsi na kujton hapjen e Mësonjëtores në Korçë, në vitin 1887, që u kthye në shkollë arketip, emër shënjues për shkollat shqipe e për mësuesinë. Andaj çdo mars, kujtojmë përpjekjet dhe sakrificat e mësueseve dhe mësuesve për mësimdhënien, për shkollat dhe sistemin arsimor”, u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se roli dhe potenciali i arsimit janë të pakontestueshëm e faktorë vendimtarë edhe për zhvillimin e vendit dhe se kjo është arsyeja që e kemi rritur buxhetin e arsimit për mbi 26% në dy vitet e fundit dhe e kemi bërë arsimin e lartë falas.
Shkolla e re Fillore të Mesme të Ulët në Kamenicë do të ketë sipërfaqe bruto prej 4.500 m2, me 20 klasë, 5 kabinete, 1 bibliotekë, dhe mensë moderne për ngrënie e hapësira adekuate sportive. E financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, vlera e projektit të shkollës së re është 1.7 milionë euro.
Gjatë qëndrimit në Kamenicë, paraprakisht kryeministri Kurti zhvilloi një takim me Kryetarin e kësaj komune, Kadri Rahimaj dhe ekipin e tij, ku u informua për punën e deritanishme, projektet që janë duke u zbatuar dhe që planifikohen në të ardhmen. Ai ofroi mbështetjen e tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës në realizimin e planeve të komunës, në shërbim të zhvillimit të saj dhe mirëqenies së qytetarëve. /2LONLINE/