Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule te obelisku i të vrarëve të familjes Berisha në Komunën e Suharekës, dhe më pas vizitoi Muzeun e Martirëve të familjes Berisha si dhe Memorialin e kësaj familjeje. Atje u shoqërua nga deputetja dhe Presidentja në ardhje, Vjosa Osmani, nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci, deputetja Vasfije Krasniqi, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë të nivelit qendror dhe lokal.
Pas homazheve, Kryeministri Kurti tha se ky muze i kësaj masakre është jeta jonë, është e kaluara jonë e pashlyeshme, traumatike, që sot shënon një plagë që kullon, plagë të hapur për shkak se nuk ka ende drejtësi për viktimat dhe as gjykime e dënime të kriminelëve serbë.
“Nuk mund të kemi të ardhme të sigurt, nuk mund të kemi paqe e qetësi përderisa nuk e kemi drejtësinë e cila jo vetëm që na është mohuar sepse na është vonuar, por për shkak se nuk ka filluar ende”, shtoi Kryeministri Kurti.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti tha se si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe si Kryeministër i ri, bashkë me presidenten në ardhje znj. Vjosa Osmani, do të bëjnë çmos që këtyre familjeve të cilët paguan çmimin kaq të lartë për lirinë dhe pavarësinë tonë, t’iu dalin në ndihmë dhe të jenë përkrah tyre. Edhe sa i përket traumave, humbjeve e vuajtjeve që i kanë përjetuar, por edhe sa i përket aktivizimit sa më të madh të sistemit të drejtësisë, e në veçanti të prokurorisë, në mënyrë që kriminelët e kësaj masakre dhe shumë masakrave të tjera të përfundojnë prapa grilave.
“Masakrat në Kosovë janë e vërteta e shtetit të Serbisë dhe janë e kaluara jonë e cila nuk kalon. Ajo është në të tashmen tonë, është përditë me neve, çdo mëngjes kur zgjohemi e çdo mbrëmje kur nuk na zë gjumi. 547 viktima civile janë në komunën e Suharekës, një ndër komunat më të goditura dhe 80 janë ende të pagjetur”, u shpreh tutje ai, duke thënë se Serbia pas vrasjeve që kreu këtu me forcat e saj i rrëmbeu edhe kufomat dhe u përpoq që ta varros të vërtetën por që ajo rishfaqej nëpër liqenet e saj nga kamionët të cilët nuk ngeleshin dot në thellësi të ujërave atje.
Kryeministri rikujtoi se 744 shqiptarë janë zhvarrosur nga Batajnica, një varrezë masive që sot është poligon i qitjes për policinë dhe ushtrinë atje, ndërkaq këtu janë 14 fëmijë nën moshën 15 vjeçare të vrarë. “Pra, nuk kanë dashur t’i vrasin vetëm të rriturit por edhe brezin e ardhshëm, edhe ata që vijnë më pas, prandaj të gjitha këto krime të kryera gjatë luftës përveçse janë krime të luftës, janë edhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocidit”, shtoi Kryeministri Kurti.
Gjatë këtyre homazheve, Kryeministri Kurti bëri të ditur se bashkë me të ishte edhe Saranda Bogujevci, nënkryetare e kuvendit të Kosovës, e mbijetuar e masakrës së familjes së saj, masakër kjo që e ka përvjetorin e 22-të të dielën, dhe Vasfije Krasniqi e mbijetuara e përdhunimit e cila gjithashtu me kurajon e saj ka folur në emër të mijëra grave shqiptare të cilat u dhunuan gjatë luftës.
“Përulemi me nderim të përjetshëm para të gjithë atyre që u flijuan. E ardhmja e Republikës sonë varet shumë nga kjo kujtesë e kulturës kolektive”, përfundoi Kryeministri Kurti.