Republika e Kosovës vlerëson partneritetin strategjik dhe mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fushat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është e përkushtuar për të forcuar këtë partneritet, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin me Senatoren nga shteti i Iowa-s, Joni Ernst.
Ai falënderoi senatoren Ernst dhe shtetin e Iowa-s për përkrahjen dhe ndihmën dhënë Kosovës, në veçanti për atë në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Senatorja amerikane, përgëzoi kryeministrin dhe institucionet e Kosovës, për punën në avancimin e agjendës euroatlantike. Ajo shprehu mbështetjen e saj për Republikën e Kosovës në të gjitha fushat zhvillimore, veçanërisht për Programin e Partneritetit Kosovë- Iowa, që këtë vit përmbushë një dekadë.
Misioni i përbashkët i Forcës së Sigurisë së Kosovës me Gardën Kombëtare të Iowa-s, në zbarkimin e përbashkët në Kuvajt, u vlerësua për kontributin në paqen dhe sigurinë globale, por edhe për promovimin e Kosovës si aktor të përkushtuar për stabilitet afatgjatë.
U bisedua për rritjen e bashkëpunimit mes Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, përtej partneritetit ushtarak, edhe në fusha të tjera, si: bujqësia, arsimi dhe tregtia.
Në takimin që u zhvillua në Zyrën e Kryeministrit, në kuadër të vizitës së senatores Ernst në Kosovë, ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S. Kosnett dhe bashkëpunëtorët tjerë. /2LONLINE.com/