Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Kuvendin e Republikë së Kosovës:
E gjithë Kosova është tronditur nga tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri, që ua mori jetën mbi 12 mijë njerëzve, numër ky që po rritet nga ora në orë këto ditë. Ne ndajmë dhimbjen dhe pikëllimin me popujt e prekur, ju shprehim ngushëllime familjarëve të viktimave, u dëshirojmë shërim të shpejtë të plagosurve dhe lutemi për jetën e atyre që janë gjallë nën gërmadha.
Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Turqi përbëhet nga një tog i kërkim-shpëtimit urban, dy ekipe mjekësore dhe një ekip K9 me tre qen. Numri i përgjithshëm i personelit të zbarkuar është 36 pjesëtarë të FSK-së dhe ky kontingjent ka zbarkuar në Republikën e Turqisë me datën 6 shkurt. Ndërkaq, nga autoritetet menaxhuese turke ka marrë detyrën të operojë në provincën Hatay të Turqisë jug-lindore. Njësitet e FSK në provincën Hatay janë duke zhvilluar operacione të kërkim-shpëtimit dhe dhënie të ndihmës së parë mjekësore.
Gjatë ditës së djeshme, njësitë e specializuara të kërkim-shpëtimit urban të FSK-së kanë shpëtuar një vajzë dy-vjeçare dhe nënën e saj dhe janë duke vazhduar operacionin.
Këto janë kushte shumë të rrezikshme e sfiduese, andaj i përgëzoj ushtarët tanë për guximin, për shkathtësinë dhe për suksesin! Gjithashtu, i përgëzojmë të gjithë ata që po shpëtojnë jetë në zonat e goditura nga tërmeti në Turqi e në Siri. /2LONLINE/