Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë vazhduar sot vizitën tek prodhuesit vendorë, përkatësisht te fabrika Daka Therm në Pozheran.
Kompania Daka Therm është gjithashtu përfituese e masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, mbështetje me të cilën ka arritur të ngrisë kapacitetet në prodhimin e materialeve termo-izoluese, përkatësisht në prodhimin e stiropolit.
Pas vizitës në fabrikë, kryeministri Kurti theksoi se Daka Therm është shembull se si mbështetja nga Qeveria jep rezultate konkrete te bizneset prodhuese, si në zhvillimin e biznesit, ashtu edhe në rritjen e punësimit.
“Duke iu falënderuar masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike është rritur për 25 numri i punëtorëve në këtë fabrikë, të cilës i urojmë edhe më shumë suksese në të ardhmen”, tha kryeministri Kurti.
Ministri Murati u shpreh se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të vazhdojë me mbështetjen ndaj prodhuesve vendorë, ashtu që të rritet prodhimi, punësimi e eksporti.
Përfaqësuesit e fabrikës DAKA Therm, përkatësisht njëri nga pronarët e fabrikës, Avni Ostrogllava u shpreh falënderues ndaj Qeverisë për mbështetjen në blerjen e makinerive, të cilat kanë ndikuar dukshëm në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e veprimtarisë tyre. /2LONLINE/