“Të zhdukurit me dhunë duhet të duken në përgjegjësinë institucionale dhe në aktivitete qytetare. Të gjithë ata na mungojnë, të gjithëve na mungojnë, sidomos familjeve të tyre, por jo vetëm familjeve, i mungojnë shoqërisë, popullit, shtetit tonë, i mungojnë të ardhmes tonë”, kështu u shpreh kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë nderimeve te Memoriali për të Pagjeturit, me rastin e 27 Prillit – Ditës së të Pagjeturve.
Kryeministri Kurti, në homazhet që i bëri te Memoriali së bashku me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se sot po shënohet edhe 22- vjetori i masakrës së Mejës, që është një dëshmi tjetër e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
“Gjenocidi në Kosovë është e vërteta e Serbisë si shtet, por kjo nuk mjafton. Duhet që ekzekutorët dhe urdhërdhënësit e gjenocidit në Kosovë e masakrave të panumërta e të vrarëve të pafajshëm e civilë, të paarmatosur e të pambrojtur, të sillen para drejtësisë që të akuzohen gjykohen e dënohen”, theksoi kryeministri Kurti. Sa më shumë kohë që kalon, dhembja nuk fashitet por shtohet, shtoi ai.
Kryeministri i Republikës së Kosovës bashkë me Presidenten e vendit dhe Kryetarin e Kuvendit janë zotuar se do të bëjnë krejt çka munden e dinë, në mënyrë që edhe të jenë pranë këtyre familjeve, por njëkohësisht edhe të ndihmojnë sjelljen e drejtësisë për gjetjen e të vërtetës.
“E vërteta është përpjekur të varroset në Batajnicë, në Peruçac e në varrezat e tjera masive nëpër fusha, male, liqene mirëpo ju e dini se ajo u rishfaq sepse nuk mund të shtypet e ndrydhet përjetë e vërteta. Ajo e nxjerr kokën, ajo del dhe shqiptari i vrarë, i masakruar, i varrosur, i zhvarrosur, i transportuar, i varrosur në Serbi, i zhvarrosur sërish, është ajo e vërtetë e cila nuk rri nën ujë e as nën tokë”, veçoi kryeministri Kurti.
Prandaj në raport me Serbinë e për hir të së ardhmes sonë dhe të historisë sonë, Kryeministri Kurti tha se ne duhet të bëhemi bashkë dhe ta kërkojmë përgjegjësinë duke qenë përgjegjës edhe në institucionet tona dhe në secilën pozitë që mbajmë.
“Unë ju falënderohem dhe ju jam mirënjohës familjeve të cilët kurrë nuk e ndalën aktivitetin e tyre nëpër protesta, nëpër peticione, në borë e në shi, në vapë e në acar, dhe me lot në sy prisnin eshtrat e më të dashurve të tyre, për të cilët nuk ishin të sigurt se a janë njëmend të tyre. Andaj, kjo lloj dhimbje që është më shumë ankth sesa pikëllim duhet të marrë fund dhe për këtë zotohemi ne”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti. /2LONLINE.com/