Me rastin e 1 Qershorit- Ditës ndërkombëtare të Fëmijëve, Komiteti ndërministror për të drejtat e fëmijëve, që kryesohet nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një takim dhe ka bashkëbiseduar me nxënës të shkollave nga komuna të ndryshme të Kosovës,
Në takim u prezantua edhe Raporti për Zbatim të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, i përgatitur nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri Kurti teksa i uroi fëmijët për ditën e tyre, tha se pavarësisht nga prioritetet tona të përditshme nuk bën ta largojmë asnjëherë vëmendjen nga ëndrrat dhe dëshirat e fëmijëve.
Ne si Qeveri qëndrojmë pas planeve dhe zotimeve tona për të ndërtuar sisteme dhe për të ofruar shërbime që arrijnë të gjithë fëmijët, e veçanërisht ata që kanë nevojë më shumë, tha kryeministri Kurti.
Duke qenë se zbatimi i të drejtave të fëmijëve fatkeqësisht shpeshherë lidhet me mundësitë financiare, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen nga partnerët ndërkombëtarë dhe për projektet që po realizohen nga fondet e Instrumenteve të Para-Anëtarësimit në Bashkimin Evropian, mes tyre edhe projekti 10 milionësh për mbështetjen e zhvillimit dhe edukimit në fëmijërinë e hershme.
Kryeministri foli edhe për angazhimin dhe masat që ka ndërmarrë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për të rritur cilësinë e arsimit: hartimin e Projektligjit për fëmijërinë e hershme dhe Projektligjit për tekstet e materialet mësimore, punësimin e 100 asistentëve të rinj për fëmijët me aftësi të kufizuar, ndarjen e 500 bursave për nxënësit e shkollave të mesme të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në vlerë prej 150 mijë euro etj. /2LONLINE/