Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi sot një bashkëbisedim me studentët e Akademisë Diplomatike të Vjenës, në ambientet e Fakultetit Filozofik në Prishtinë.
Kryeministri Kurti tha se ishte kënaqësi takimi sot me ta duke shprehur mirënjohjen e tij të përzemërt për Akademinë Diplomatike të Vjenës lidhur me organizimin e këtij udhëtimi studimor e i cili siç potencoi ai, na lejon të diskutojmë dhe eksplorojmë arritjet e Republikës sonë.
Para studentëve, kryeministri Kurti derisa foli për 15- vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, sfidat, arritje e sukseset, po ashtu veçoi edhe qëndrimin ambicioz të Qeverisë që ai udhëheqë ndaj reformave demokratike në të gjithë sektorët e qeverisë, veçanërisht sigurimin e një sistemi më të fortë të mirëqenies, forcimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen dhe përforcimin e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e minoriteteve dhe rritjen e ekonomisë. Ky progres, theksoi ai, është njohur gjerësisht nga raporte të shumta ndërkombëtare, duke forcuar reputacionin e Kosovës si një histori suksesi në shtetin e demokracisë.
Në këtë takim të kryeministrit Kurti me studentët nga Akademia Diplomatike e Vjenës, i pranishëm ishte edhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger. /2LONLINE/