Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vuri gurthemelin e Qendrës së Mjekësisë Familjare, në lagjen Arbëria, në Gjilan.
Është kënaqësi që jam sot në Gjilan me rastin e përurimit të gurthemelit të Qendrës së Mjekësisë Familjare, këtu në lagjen Arbëria, një lagje e cila, moti ka pasur nevojë për një Qendër të Mjekësisë Familjare, për shëndetin publik, për pacientët, por gjithashtu edhe për mjekët edhe infermierët, që do të shërbejnë e do të kujdesen këtu, tha kryeministri.
Andaj, përveç se si investim në infrastrukturën shëndetësore, kryeministri vlerësoi këtë projekt si investim në shëndetin e qytetarëve. Të gjithë ata të cilët janë të sëmurë apo pacientë, do t’i kenë kushtet e duhura në një hapësirë prej gjithsejtë, prej 373 metra katrorë, ku do të ofrohen kujdesi i mjekëve edhe i infermierëve tanë, tha ai.
Vënia e gurthemelit të QMF-së së re u bë bashkë me Kryetarin e Komunës së Gjilanit, z.Alban Hyseni, Ambasadorin e Katarit në Shqipëri, Shkëlqesinë e tij Ali bin Hamad Al Marri dhe drejtorin e Qatar Charity, z.Esam Dabab, e në prani të përfaqësuesve të institucioneve qendrore e lokale dhe stafit shëndetësor.
Kryeministri falënderoi përzemërsisht Shkëlqesinë e tij Ali bin Hamad Al Marri dhe drejtorin e Qatar Charity, z.Esam Dabab, për mbështetjen, për donacionin, për mundësimin e këtij gurthemeli. Ai e falënderoi edhe kryetarin e komunës, z Alban Hyseni për punët përgatitore, që për të arritur deri në këtë ditë për të vënë gurthemelin e për ta inauguruar fillimin e punës drejt ndërtimit të kësaj Qendre të Mjekësisë Familjare në Gjilan.
Ndërkaq, ambasadori i Katarit, Ali bin Hamad Al-Marri tha se kjo qendre shëndetësore është dhuratë nga popullimi Katarit për popullin mik të Kosovës.
Përndryshe, ambasadori Al-Marri i ka vlerësuar solide marrëdhëniet mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Katarit dhe ne bëjmë të gjitha përpjekjet e munduara që këto marrëdhënie t`i zhvillojmë më tej, duke nënvizuar se ky nuk do të jetë projekti i vetëm, gjë që e ka pohuar në fjalën e tij edhe drejtori gjeneral i organizatës Qatar Charity, Esam Dabab.
Kurse kryetari i Komunës, Alban Hyseni, në cilësinë e nikoqirit, pasi ka falënderuar kryeministrin, ambasadorin dhe drejtorin e Katar, për pjesëmarrje në këtë akt solemn, ka thënë se lagjja Arbëria, ku sot filloi ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare, është një ndër lagjet më të mëdha të qytetit ku ka gravitim edhe nga zonat tjera të qytetit dhe fshatrat përreth.
“Janë diku rreth 20 mijë shërbime që ofrohen në vit në qendrën ekzistuese të Mjekësisë Familjare, me ç`rast me infrastrukturë të re, me mundësi më të mira, me kushte shumë më të favorshme, edhe cilësia e shërbimeve do të rritet, por sigurisht edhe numri i tyre”, ka thënë kryetari Hyseni.
Për më tepër, ai tha se ky është projekti i parë që po realizohet me këtë organizatë, ndërkohë që projekte të reja pret në të ardhmen.
Ky projekt i mundësuar falë bashkëfinancimit ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe Qatar Charity, përveçse për ndikimin në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, u vlerësua edhe si dëshmi konkrete e miqësisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Katarit.
Për më tepër shih VIDEO /2LONLINE/