Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim të ngarkuarin me punë të Malit të Zi në Kosovë, Radovan Miljanic, me të cilin bisedoi për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.
Kryeministri Mustafa theksoi progresin që po arrin Kosova dhe për hapat që po ndërmerr Qeveria e Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, sundimin e rendit dhe të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe reformat e gjithmbarshme në arsim dhe në shëndetësi.
Kryeministri Mustafa përmes të ngarkuarit me punë, Radovan Miljanic, uroi Republikën e Malit të Zi për ditën e pavarësisë.
“Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mali të Zi, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të mira, poashtu jemi të interesuar për vazhdimin e thellimit të tyre në të gjitha fushat e interesit të përbashkët”, tha kryeministri Mustafa.
Në takim u bisedua edhe për çështjen e demarkacionit dhe pozitën e komunitetit malazez në Kosovë.
I ngarkuari me punë i Malit të Zi në Kosovë, Radovan Miljanic falënderoi kryeministrin Mustafa për pritjen dhe vlerësoi marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve, duke shprehur përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në interes të popujve dhe shteteve tona edhe në të ardhmen.