Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kanë marrë pjesë në takimin e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me korona virus.
Pas takimit, kryeministri Hoti dhe ministri Zemaj kanë mbajtur konferencë për media, në të cilën thanë se është diskutuar në detaje me të gjithë bartësit e institucioneve për gjendjen në të cilën po kalon vendi, në veçanti gjatë ditëve të fundit.
“Më lejoni të them shumë qartë dhe drejt para jush dhe para të gjithë qytetarëve se nuk mund të lejojmë që gjendja të dalë jashtë kontrollit, jeta e qytetarëve është mbi të gjitha, është prioriteti ynë i parë. Kemi 49 raste me fatalitet. Klinika Infektive është e stërmbushur, nuk ka vende më për njerëz në Klinikën Infektive. Tash ministri dhe drejtori i Institutit, drejtori i QKUK-së janë duke krijuar hapësira shtesë nëpër klinikat e tjera, edhe nëpër spitale regjionale”, tha kryeministri Hoti.
Ai tha se masat janë shumë të thjeshta dhe shumë të qarta: maskat, distanca fizike, larja e duarve, tri masa të thjeshta, të cilat jemi të obligueshëm që të gjithë t’i ndërmarrim.