Gjendja e përgjithshme e sigurisë në vend është vlerësuar e qetë dhe stabile. Ky ishte konstatimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, i cili u mbajt sot pas zhvillimeve të fundit në Kosovë.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës, ka mbledhur përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, mekanizmave të sigurisë dhe të organeve të drejtësisë, për të shqyrtuar situatën në vend, me theks të posaçëm pas zhvillimeve të fundit në veri dhe arrestimit të zyrtarit të Serbisë, Marko Gjuriq.
Poashtu, kryeministri në një konferencë për media tha se institucionet e rendit dhe të ligjit janë në nivel të përgjegjësisë, të punës së vet në gjithë territorin.
“Veprimi i djeshëm i arrestimit të zyrtarit të Serbisë, Marko Gjuriq nuk ishte një veprim i këndshëm ose i pëlqyer nga ne, por ishte zbatim i ligjit, i pa alternativë. Meqenëse hyrja ka qenë ilegale, në këtë rast vlejnë procedurat standard të cilat i kanë zbatuar organet e rendit, policia dhe institucionet tjera me profesionalizëm”, tha kryeministri pas takimit.
Arrestimi dhe depërtimi i Marko Gjuriq, është procedurë standarde në zbatim të rendit dhe ligjit. Është e pashmangshme dhe e aplikueshme çdo herë në rast të veprimeve të ngjashme.