(2LONLINE) – “Jemi në përfundim të vitit 2013 dhe këto çaste zakonisht krijojnë emocione, që na e kujtojnë të kaluarën dhe na japin shtytje për të ardhmen duke bërë bilancin e këtyre 365 ditëve. Ngjarjet e vitit që po e kalojmë, do të hyjnë në arkivin e të shkuarës, por do të na shërbejnë përherë për perspektivë. Sot, unë jam me ju, jo vetëm për t’ju përshëndetur në këtë fund vit, por më tepër se kaq”, thuhet në urimin e kryetarit të komunës së Vitisë Sokol Halitit, me rastin e festave të fundvitit.
Ai i ka ftuar të gjithë, pa dallime partiake e fetare, pa dallim gjinie e kombësie që të hedhin së bashku, një vështrim tek rruga që kanë bërë. Të evidentojnë vlerat e krijuara dhe t’i bëjnë ato pjesë të jetës së përditshme.
Haliti u shpreh i bindur se 2013-ta, ishte një gur themel në rrugëtimin drejtë së ardhmes për komunën e Vitisë, një rrugëtim që do e bëjnë së bashku për të realizuar synimet e përbashkëta. “Besimi tek vetvetja është domosdoshmëri për të përballuar sfidat e vitit që po hymë” ka thënë Haliti për të shtuar se sot, sikur asnjëherë më pare, kemi të gjitha arsyet për të qenë ndryshe, për ta pare perspektivën tonë, për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.
“Qytetarë të nderuar të komunës së Vitisë, ne do të jemi në dispozicionin tuaj që të kontribuojmë me gjithë potencialin që kemi, duke mos kursyer asgjë që zhvillimet e gjithmbarshme në komunë tonë në vitin e ri 2014 të kenë efektin pozitiv për të mirën e gjithë qytetarëve pa dallime politike, fetare e kombësie. Me këtë rast, Gjithë besimtarëve të konfesionit katolik, urime festa e Krishtlindjeve duke ju dëshiruar mbarësi dhe shëndet. Po ashtu gjithë qytetarëve të komunës së Vitisë urime Viti I Ri 2014 duke ju dëshiruar që të jetë vit i aspiratave tuaja” ka thënë Haliti në urimin e tij për qytetarët, për festat e fundvitit.
Njoftohen qytetarët e Komunës së Vitisë se me rastin e festave të fund vitit nuk do të punohet gjatë këtyre ditëve:
E mërkurë 25 Dhjetor 2013 Krishtlindjet Katolike
E mërkurë dhe e enjte 1-2 Janar 2014 Viti i Ri
E martë 7 Janar 2014 Krishtlindjet Ortodokse