(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka pritur në një takim pune drejtuesit e Klubit Rotarian “Gjilan”, me të cilët kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit të projekteve të ndryshme në shërbim të qytetarëve të Gjilanit.
Me këtë rast, kryetari i këtij klubi, Muhamet Halili e ka informuar kryetarin Haziri me realizimin e projekteve të deritanishme dhe me planet dhe synimet për projekte të reja në këtë fillim vit, si në shkollën e Bresalcit ku parashihet rregullimi ii ujësjellësit e do të shikohet edhe mundësia për kanalizim, por edhe projekte të tjera në shërbim të qytetarëve.
“Këtë vit do të nisim me projektin e parë për shkollën e fshatit Bresalc për rregullimin e ujësjellësit dhe krahas këtij mund të shikohet edhe çështja e rregullimit të kanalizimit të kësaj shkolle. Sot kam marrë informacionin ende jozyrtar nga niveli qendror, për ta sjellë në Gjilan një auto – ambulancë, kërkesë kjo e RC Gjilanit dhe shpresojmë se kjo do të aprovohet e së shpejti të sjellim për Drejtorinë e Shëndetësisë. Gjithashtu ne do të shikojmë mundësinë të pajisim edhe ndonjë kabinet të informatikës në shkollat të cilat kanë më shumë nevojë”, ka thënë Halili, derisa ka precizuar edhe disa projekte të cilat janë realizuar më parë.
Ndërsa kryetari Haziri, ka ofruar bashkëpunimin nga ana e Komunës, për projektet në vijim.
“Nga ana e Komunës do ta keni mbështetjen që janë në përgjithësi në shërbim të qytetarëve të Komunës sonë. Ne edhe në ditët në vijim do të takohemi për të shikuar mundësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta. Bashkëfinancimi 50 – 50% është një kontribut për të mirën e qytetarëve tanë. Kemi shumë shkolla që kanë shumë nevojë për kabinete të informatikës”, ka thënë nder të tjerash Haziri duke e pranuar edhe ftesën që ai të jetë anëtar i klubit Rotary “Gjilan”.. /2lonline/