Presidenti, kryetari i parlamentit dhe kryeministri i Kosovës, përmes postimeve në profilet e tyre, kanë dënuar ashpër aktin terrorist në xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re.
“Republika e Kosovës e dënon ashpër aktin terrorist në xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vranë mbi 40 persona dhe u plagosën 20 të tjerë. Në këto momente të rënda, populli dhe institucionet e Kosovës ndajnë dhimbjen me familjet e viktimave dhe shtetin mik të Zelandës së Re. Aktet e tilla dëshmojnë për domosdoshmërinë e vazhdimit të luftës kundër çdo forme të ekstremizmit dhe terrorizmit në botë”, shkruan Thaçi.
“Sulmi në xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vranë dhjetëra persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, është një akt terrorist i tmerrshëm, që goditi jo vetëm këtë vend, por gjithë botën e lirë e demokratike. Në këto momente të vështira, jemi pranë shtetit të Zelandës së Re dhe familjeve të viktimave. Kjo ngjarje e dhimbshme na bënë që të jemi më të bashkuar dhe më të vendosur në luftën kundër terrorizmit. Republika e Kosovës do të vazhdojë të japë kontributin e saj maksimal e të qëndrojë e vendosur përkrah SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë strategjikë në kuadër të koalcionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit dhe nderon sakrificat e partnerëve që janë në vijën e parë të frontit në këtë luftë”, shkruan Veseli.
“Akti terrorist në Zelandë të Re, ku mbeten të vrarë dhjetëra njerëz të pafajshëm, cenon vlerat e një vendi të lirë dhe na prekë të gjithëve. Në emër të Qeverisë së Kosovës, shpreh dhimbjen për viktimat njerëzore të kësaj ngjarje të rëndë. Ngushëllime familjeve dhe institucioneve të Zelandës së Re. Terrorizmi, pa marrë parasyshë nga kush vjen, është e keqja më madhore me të cilën duhet të përballemi të gjithë së bashku. Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj përkrah aleatëve strategjikë për sigurinë globale”, ka shkruar Haradinaj.