(2L ONLINE) – Lojtari më i mirë i kombëtares shqiptare, në ndeshjen ndaj Danimarkës, Ermir Lenjani ka pushtuar zemrat e kamenicasve. Mesfushori kosovar që me prejardhje është nga Karaçeva e Ultë e Kamenicës si anëtar i ri në Kombëtaren e Shqipërisë ka shkëlqyer në duelin me Danimarkën, madje duke shënuar edhe gol, ndërsa gol ka premtuar edhe kundër Serbisë, në ballafaqimin që kombëtarja shqiptare do ta ketë më 14 tetor në Beograd, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2016.
Ashtu siç po krenohen gjilanasit me Xherdan Shaqirin, ashtu po krenohen edhe kamenicasit me 24 vjeçarin Ermir Lenjanin. Mësohet se Lenjani i lindur me 05-08-1989 ne Karaqevë e Ultë të Komunës së Kamenicës i kishte vetëm dy vite, kur me familje shkoi në Zvicër ku është shkolluar, por ku ka treguar edhe talentin e tij prej futbollisti. Ka ndjekur trajnimet e rregullta në të gjitha grupmoshat në ekipin e Winterthur-it dhe ka luajtur si titullar i ekipit. Tani e dy vite luan titullar për ekipin e Ligës së Parë St. Gallen.
E sportdashës nga Kamenica apo me prejardhje nga kjo komunë, i kanë thënë Portalit informativ 2L ONLINE, se ndjehen krenar për atë që tregoi Ermir Lenjani në duelin me Danimarkën, dhe besojnë se me lojë të mirë do të paraqitet edhe ndaj Serbisë.
Ardian Foniqi nga Karaqeva, thotë se jo vetëm Kamenica por krejt Anamorava e Kosova gëzohet me talentin që ka tani kombëtarja shqiptare. Ai thotë se e ka përcjellë takimin Shqipëri-Danimarkë dhe është gëzuar fortë kur golashënues për kombëtaren ka qenë pikërisht Lenjani. Ai thotë se ky futbollistë do të vazhdojë të shkëlqejë në kombëtare dhe do ti bëjë krenarë të rinjtë kamenicas, por edhe të gjithë qytetarët sportdashës të Kamenicës, Anamoravës, por edhe në krejt Kosovën.
Sami Spahiu, që jeton në Gjilan, por që me prejardhje është nga Sedllari i Kamenicës thotë se i gëzohet faktit që për çdo ditë e më shumë po dalin futbollistë shqiptarë që po dëshmohen qoftë në kombëtaren tonë qoftë në ekipe të skuadrave të vendeve ku jetojnë. Spahiu në këtë drejtim përmendi edhe futbollistë me prejardhje nga Kamenica, si Faton Toski, Albert Bunjaku e lojtarë të shumtë që luajnë në Liga të ndryshme të Zvicrës. Në këtë drejtim ai veçoi edhe Lenjanin, për të cilin tha se luajti shumë mirë kundër Danimarkës duke shënuar, por fatkeqësisht fitorja i iku nga duart Shqipërisë, gjë që ishte zhgënjyese dhe për këtë ai fajëson trajnerin.
Përndryshe, Spahiu pret që Lenjani të dëshmohet edhe në duelin me Serbinë që ai e sheh si duel tejet të vështirë, një lojë agresive nga të dyja palët, por që në fund, sipas prognozës së Spahiut, rezultati do të jetë 2 me 1 për kombëtaren shqiptare.
Ai thotë se pret që kombëtarja serbe do të provokojë stabilitetin e lojës me shumë ndërprerje dhe me dyshime e pret edhe referimin, ku ja ka frikën ndonjë kartoni të kuq për lojtarët shqiptarë, ndërsa pikë të fortë të kombëtares kuq e zi, e konsideron Lorik Canën, e për Lenjanin nuk e fsheh dëshirën e tij, që ai të shënojë prapë.
Bujar Fera nga Karaqeva tregon emocionet ngazëlluese të tija nga Loja Shqipëri –Danimarkë, të cilën e kishte shikuar nga ekrani pasi edhe përkundër dëshirës, dhe biletën të siguruar nga vetë golashënuesi Lenjani, obligimet nuk e kishin lejuar të shkojë atë ditë në Elbasan, për ta parë bashkëvendësin e tij nga tribuna.
Fera thotë se ishte i fascinuar me lojën e kombëtares shqiptare, dhe dëshira për fitore të kombëtares u fuqizua edhe më shumë, kur dëshira tjetër e tij, u plotësua, atëherë kur Emiri shënoi golin.
Fera thotë se Ermirin e ka përcjellë në disa ndeshje futbolli edhe ne Zvicër, në veçanti në kohën kur Ermiri ishte lojtar i skuadrës Winterthur në vitin 2012.
“Atë kohë luante Winterthur-Baseli .Ermiri luante qendërmbrojtës derisa Xherdan Shaqiri luante në qendër sulm për Baselin. Ermiri nuk i lejonte hapësirë driblimi për asnjë qastë Shaqirit. Që atëherë është parë e ardhmja e ndritur e tij, dhe në biseda me prindin e tij Limon Lenjanin, që edhe ai dallohet për kontribut te çmuar në KF Kaolini, nuk u ndalën përpjekjet që Ermiri të ecë tutje ka e ardhmja”, ka thënë Fera.
Fera thotë tutje se arritjet e Lenjanit në kombëtare nuk ishin të lehta, por tani pas kësaj paraqitje të mirë ndaj Danimarkës, presim gola edhe ndaj Serbisë.
Përndryshe, mesfushori kosovar, Ermir Lenjani, ka thënë se Kombëtarja e Shqipërisë, në Beogradi do të luaj për fitore dhe beson se mund t’ia dalin. /2L ONLINE/