Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve të Kosovës uroi që viti 2014, të jetë vit i mbarë për çdo familje në Republikën e Kosovës. Ky vit është cilësuar nga kryeparlamentari Krasniqi, si vit i vështirë dhe me sfida, suksese por edhe dështime.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi uroi shëndet, punë e mirëqenie për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Uroj që ky vit të sjell suksese, shëndet punë e mirëqenie për secilin qytetar e në çdo familje të Republikës së Kosovës. Gjithashtu shfrytëzoj rastin të ju uroj të gjithë mekanizmave ndërkombëtare në Kosovë duke dëshiruar gjithashtu gjitha të mirat edhe për familjet e tyre”, tha ai.
Krasniqi ka kujtuar edhe kontributin e dëshmorëve e martirëve të vendit, të cilët siç tha ai mundësuan që të festojmë dhe frymojmë lirshëm. Krasniqi po ashtu tha se ky vit ishte me sfida e suksese por edhe dështime. Ndërkaq, për vitin e ardhshëm ai tha se do të jetë vit i objektivave të mëdha.
“ Viti që po e lëmë pas ishte një vit me plotë sfida, me suksese por edhe me dështime, prandaj viti i ri do të na gjej me objektiva më madhore për një zhvillim më të hovshëm ekonomik si dhe me një përkushtim më të madh të të gjitha institucioneve shtetërore për ndërtimin e Kosovës evropiane . Viti 2014 është vit i përgjegjësive të mëdha. Kosova duhet të ecë më shpejt në zhvillimet e gjithëmbarshme shoqërore e ekonomike”, tha ai.
Krasniqi tha se Viti i Ri do të sjell të reja edhe në skenën politike të vendit.