Ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka vlerësuar të martën se askush nuk duhet pasur frikë nga bashkimi Kosovë-Shqipëri, pasi sipas tij, nuk është i dhunshëm, nuk formohet Shqipëria e madhe se dhe ky bashkim nuk rrezikon asnjë vend.
Lexoni të plotë shkrimin e Krasniqit
Kur po i lexoj disa shkrime e opinione kundër Deklaratës se Edi Ramës, menjëherë po me shkon mendja në vitin 1998, kur i pata dhënë zë Betimit të ushtarit të UÇK-së se do të: “Luftojmë për bashkimin e trojeve të pushtuara të Shqipërisë”. Atë botë edhe nga qarqe të caktuara shqiptare, pat një reagim të çuditshëm?!
Krahasuar me deklarimin e Edit, sot përpiqem edhe t’i kuptoj, se pozicioni i atëhershëm krahasuar me sot ishte krejt tjetër. E para, deklarimi ynë e kishte përmbajtjen dhe armën e realizimit – UÇK-në; e dyta frika ndoshta në një masë e kishte edhe arsyen?! Sot po përpiqem t’i kuptoj edhe ata që u frikësuan! Për rastin e tanishëm, frika jo vetëm e shqiptarëve, me duket më shumë se e arsyeshme.
A duhet pasur frikë sot dhe nga kush, kjo është çështja. Frikë duhet pasur nga qëndrimet e pohimet luftënxitëse që vijnë nga ata që i shkaktuan mase tri lufta. Luftëra që shkaktuan një gjenocid të tmerrshëm. Gjenocidin në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë e Kosovë i shkaktoj politika agresive e Beogradit.
Pse nuk duhet frikësuar nga bashkimi i Kosovës me Shqipërinë?
Nuk është bashkim i dhunshëm.
Nuk formohet Shqipëria e madhe.
Ky bashkim nuk rrezikon asnjë vend.
Ky bashkim do të lironte mjete financiare për zhvillim. Ky popull nuk është kaq i pasur sa t’i mbajë dy aparate kaq të mëdha shtetërore.
Në Ballkanin e trazuar do të krijohej një partneritet në mes shtyllave kryesore të Ballkanit.
Partneriteti mes popujve të Ballkanit krijon: Siguri, stabilitet dhe zhvillim. A nuk po e synojmë të gjithë zhvillimin?
Por unë, ende nuk mund të besoj se Edi Rama e ka seriozisht. Për faktin se bashkimi nuk është çështje e dy a tre individëve, është çështje e një konsensusi kombëtar, për të cilin askush nuk është duke punuar. Ky fakt e bënë edhe më të pa arsyeshme frikën e BE-së dhe të tjerëve nga “bashkimi” i Kosovës me Shqipërinë.