Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka shkruar në llogarin e tij në facebook, për vendimin Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja, duke e vlerësuar këtë vendim si një vendim i dinjitetshëm.
Ja postimi i tij i plotë në facebook:
MË NË FUND, PAS DHJETË VITEVE PAVARËSI NJË VENDIM I DINJITETSHËM!
Vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës që vije në prag të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është i vetmi vendim që ka rëndësi të veçantë kombëtare gjatë gjithë këtyre viteve të Pavarësisë e të shtet-ndërtimit.
Ky vendim nuk guxon të jetë i vetmi i kësaj natyre. Kosova duhet të merr edhe vendime të tjera në raport më cdo veprim të Serbisë, përderisa ajo vazhdon të eci me kokëfortësi në gjurmët e politikave të gjenocidit serb të kohës së Rankoviqit e të Millosheviqit. Ky vendim duhet të jetë përgjigje edhe për Bashkimin Evropian, pasi më shumë se pesë vende të tij votuan kundër ose abstenuan për t’u anëtarësua Kosova në Interpol. Kjo u bë për dy arsyeje:
1. Pse ato vende që 20 vite janë duke i mbrojtur politikat e gjenocidit serb, për të cilin gjenocid kanë dëshmi të shumta të cilat i dinë mirë ato vende, ashtu sic i dinë e gjithë Bota e qytetëruar; dhe
2. Pse po i mbrojnë kriminelet serb për të cilët Kosova duhet t’i kërkonte dhe ata të dilnin para drejtësisë për veprat e shumta kriminale, për të cilën gjë Serbia ka investuar para të shumta.
Nëse Botës se qytetëruar nuk i janë shkaktuar dhimbje njerëzorë, ne që i kemi jetuar ato dhimbje zemre, nuk jemi të obliguar t’i heshtim ato dhimbje të shpirtit njerëzor! Zërat e tyre nuk na lënë që të flemë rehat!
Mogerini dhe askush në Bruksel, e theksoj askush në Bruksel nuk ka të drejt morale e as politike, madje as njerëzore t’ia mohoj Kosovës të drejtën për të marr vendime në mbrojtje të interesave të saja jetike. Gjatë e kemi pritur drejtësinë, por ajo nuk po duket gjëkundi! BE-ja nuk e ka ketë të drejtë edhe për faktin pse pas shekullit të errtë të sundimit serb në Kosovë, ajo po i mban të izoluar qytetarët e Kosovës. Nëse Brukseli dëshiron të reflektoj vlera demokratike, atëherë ai presionin duhet ta drejtoj mbi pinjollët e gjenocidit, mbi ata që vazhdojnë të qeverisin në Beograd dhe që i kanë amnistuar nga të gjitha politikat e krimit e të gjenocidit të kryera jo vetëm në Kosovë.
Ndërsa, udhëheqësit e Kosovës e kanë momentin e fundit ta tregojnë burrërinë e tyre për t’i dalë zot vendit e kombit të tyre. Nëse nuk e kanë burrërinë ta bëjnë ketë që i duhet kombit, le t’i lirojnë ato vende se ka kush u del zot!
Politikat e gjenocidit serb nuk duhet toleruar më!
Qytetarët e Kosovës do të jenë në mbrojtje të lirisë dhe të perspektivës në vendin e vet! Edhe më fuqishëm sesa ishin në luftën e fundit!