Në Gjilan, për të trembëdhjetën herë me radhë, është duke u mbajtur turneu ndërkombëtar “Katana Open 2018” . E kreu i Federatës së Karatesë së Kosovës, Ismet Krasniqi u shpreh i kënaqur si me organizim, po ashtu edhe me pjesëmarrje të garuesve dhe referim, duke thënë se ky turne e ka marr mbarën dhe se sa herë vije duke u masivizuar dhe duke u ngritur në cilësi, çfarë është pozitive edhe për zhvillimin e gjithëmbarshëm të karatesë kosovare.
Krasniqi tha për Portalin 2LONLINE, se masiviteti dhe cilësia në këtë turne është e rëndësishme për karatenë në përgjithësi, për faktin se si federatë presin shumë në të ardhmen nga këta garues, pasi të njëjtit mund të na prezantojnë me paraqitjet e tyre edhe në arenat ndërkombëtare.
Kreu i Federatës ka bërë me dije se janë 47 klube me 406 garues, prej të cilëve 251 meshkuj e 155 femra, nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, e që po garojnë në kata e kumite. Krasniqi me këtë rast ka vlerësuar lartë organizatorin, Klubin e Karatesë “Dardania”, pasi sipas tij, po shihet përvoja që kanë në organizime të tilla dhe kjo është e rëndësishme për karatenë kosovare.
I pari i Federatës së Karatesë së Kosovës, ka vlerësua shumë edhe referimin duke bërë me dije se edhe në këtë segment ka përparime e ngritje në cilësi, me këtë rast ka përmendur se tani i kemi 3 referë me licencë botërore, 6 me evropiane dhe 5 me licencë ballkanike.
Edhe Maliq Maliqi, në emër të organizatorit tha se është i kënaqur deri më tani me mbarëvajtjen e këtij turneu ndërkombëtare dhe bëri me dije se për më të mirët do të ketë medalje, kupa e mirënjohje.