Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pritet që sot të publikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 3 nëntorit për kandidatët për kryetarë komunash. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka thënë për media se sot ka gjasa të publikohen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 3 nëntorit për kandidatët për kryetarë komunash.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të hënën ka marrë vendim që 61 vendvotime të rinumërohen për shkak të parregullsive të evidentuara në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Daka ka treguar se në këto vendvotime ka pasur mospërputhje në formularin e rezultateve. Por, sipas saj, ende nuk dihet nëse ka pasur manipulime apo gabime teknike në këto vendvotime.
“Pas këtij procesi të rinumërimit për këto vendvotime do të dalim me rezultatet finale. Prandaj, po besoj se të mërkurën do të dalim me rezultate finale për kandidatët për kryetarë komunash. Po ashtu, shumë shpejt do të dalim edhe me rezultatet për kandidatët për asamble komunale”, ka deklaruar Daka.
Vendvotimet të cilat kanë shkuar në rinumërim kryesisht janë nga komuna e Prishtinës, Podujevës, Prizrenit, Ferizajt, Malishevës, Skenderajt, Lipjanit Suharekës dhe komunave të tjera.