Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, e ka konfirmuar përgatitjen e KQZ-së për mbajtjen e zgjedhjeve nacionale në vendin tonë, nesër, më 8 qershor, derisa ka thënë se në këto zgjedhje mund të votojnë edhe personat me nevoja të veçanta si dhe ata të verbër apo me të pamur të dobësuar.
“Po bëhet një muaj prej se KQZ në mënyrë intensive është marrë me përgatitjet e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Për një muaj KQZ ka punuar vazhdimisht dhe me gjithë potencialin për të krijuar kushte që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote të mund të realizojnë këtë të drejtë universale. Përveç votuesve të rregullt të cilët mund ta sjellin votën e tyre në vendvotim, KQZ edhe kësaj radhe ka krijuar mundësi për të votuar edhe personat me nevoja të veçanta. Ndërsa, KQZ mbetet ndër vendet e pakta që personave të verbër dhe personave me të pamë të dobësuar u ofron mundësinë për të votuar përmes shablloneve të alfabetit të ‘Brajlit’”, ka thënë ajo.
Daka ka shtuar se këto zgjedh je janë të rëndësishme për vendin tonë. Ajo ka thënë se në këtë proces do të marrin pjesë edhe vëzhgues nga BE-ja dhe vende të ndryshme të botës, kurse u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të dalin e ta hedhin votën e tyre.
“Në emër të KQZ-s, dua të ju bëjë thirrje, të gjithë akterëve të këtij procesi zgjedhor që ta kryejnë detyrën e tyre ashtu siç e parasheh Kushtetuta dhe Ligji mbi Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe në këtë mënyrë të mbajnë zgjedhje fer, demokratike, të lira dhe sipas standardeve ndërkombëtare. Prandaj edhe një herë, nesër më 8 qershor, ndani 5 minuta dhe votoni”, është shprehur ajo.
Daka ka thënë se edhe në këto zgjedhje rezultatet preliminare pritet të publikohen në orët e vona të së dielës, derisa ka shtuar se rezultatet për kandidatë mund të marrin pak kohë për shkak të mbi 1000 kandidatëve për deputet të cilët kanë garuar në këto zgjedhje.