/2L ONLINE/ – Sali Kqiku, drejtor i Departamentit të Prokurimit në Komunën e Gjilanit, në konferencën me gazetarë ka paraqitur punën e bërë në autoritetin kontraktues, në udhëheqjen e procedurave për projektet e realizuara në këtë gjashtëmujor, duke potencuar se për herë të parë Investimet Kapitale e tejkalojnë vlerën e buxhetit të përgjtihshëm, dhe sipas tij ky është viti i investimeve më të mëdha që nga paslufta për Komunën e Gjilanit.
Kqiku në fjalën e tij ka potencuar se të gjitha procedurat, që nga inicimi, deri në nënshkrimin e kontratave me operatorët ekonomik, janë kryer duke respektuar në përpikëri udhëzuesit operativ për prokurim publik.
“Që nga inicimi i kërkesës për punë publike, e deri në nënshkrimin e kontratës me operatorët ekonomik, gjithnjë janë respektuar në përpikëri ligji i prokurimit publik, respektivisht udhëzuesi operativ për prokurimin publik. Departamenti i Prokurimit në Gjilan, me kohë ka bërë gjithashtu edhe raportimin vjetor në KRPP, ka dorëzuar në AQP, planifikimin final të prokurimit publik të Gjilanit për vitin 2016. Kështu në këtë fazë prej gjashtë muajsh të vitit 2016, janë udhëhequr 67 aktivitete të prokurimit dhe atë me procedurë të hapur 43 aktivitete, një konkurs projektimi, 8 ftesa për kuotim, aktivitete me vlerë minimale 12 dhe ankande publike tri sosh”, ka thënë në fillim të raportimit drejtori Kqiku.
Projektet e Komunës së Gjilanit kanë prekur pothuajse të gjitha fshatrat si dhe qytetin njëkohësisht, duke përfshirë infrastrukturën rrugore, ujësjellëse, kanalizime, trotuare, ndriçim publik, por edhe projekte të shumta publike nga sektori i Arsimit, Shëndetësisë dhe Bujqësisë.
“Me infrastrukturë rrugore, ujësjellës, kanalizime, ndriçim, trotuare, gjelbrim, apo projekte të tjera publike, janë përfshirë fshatrat si Bresalci, Cërrnica, Dobërqani, Muhaxherët e Dobërqanit, Përlepnica, Shillova, Velekinca, Capari, Malisheva e Epërme, Malisheva e Ulët, Pogragja, Kmetoci, Llashtica, Livoqi i Ulët, Lladova, fshatrat e Karadakut dhe malësisë së Zhegocit. Ndërsa në qytet është punuar që nga qendra e qytetit, pastaj lagja “Dardania”, “Dheu i Bardhë”, lagja e “Vishnjeve”, “Zabeli i Sahit Agës”, lagja e tetë, “Deremahallë”, “Kamnik”, dhe është gjithashtu duke u punuar edhe në hyrje daljen e rrugës Gjilan-Bujanoc. Njëkohësisht kemi punuar edhe në shumë fshatra dhe lagje nëpër qytet të cilat nuk mund të përmenden njëkohësisht ngase me projekte të ndryshme kemi prekur gjithë hapësirën e Gjilanit”, ka thënë drejtori i Prokurimit, Sali Kqiku.
Drejtori Kqiku ka thënë mes tjerash se e gjithë kjo, nuk do të ishte e mundur asnjëherë pa mbështetjen e fuqishme të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, i cili ka tërhequr mjete financiare përmes programeve të ndryshme qoftë nga qeveria e Kosovës përmes ministrive, qoftë nga donatorë dhe qeveri të ndryshme të shteteve mike të Kosovës.
Gjithashtu si projekt me rëndësi Kqiku, ka përmendur edhe Kampusin e Shkollave të Mesme, i cili është investim përmes Partneritetit Publiko-Privat, dhe sipas tij ky ndryshim i madh është vetëm fillimi, sepse është përfunduar vetëm faza e parë e projektit, ndërsa në të ardhmen do të ndodhin investime edhe në dy faza të tjera dhe këtë kompleks vërtetë do ta kemi me standarte ndërkombëtare. /2L ONLINE/